Gërvalla takon kongresistin amerikan Meeks, flasin për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në Rajon

Gërvalla takon kongresistin amerikan Meeks, flasin për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në Rajon

Aktuale May 25, 2024 - 19:30

Në vazhdën e takimeve me kongresistë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla është pritur në takim nga kongresisti demokrat Gregory Meeks, i cili njihet si mbështetës i madh i Kosovës.

Gërvalla dhe Meeks diskutuan rreth intensifikimit të vizitave të kongresistëve amerikanë në Kosovë dhe fuqizimin e bashkëpunimit në çështje të veçanta, si në politikën e jashtme të Kosovës ashtu edhe në programe të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë dhe arsimit.

Gjatë këtij takimi u ri-konfirmuan marrëdhëniet e fuqishme mes dy shteteve dhe dy popujve, duke potencuar se qytetarët e Kosovës, edhe nga matjet ndërkombëtare, dalin të jenë qytetarët më pro-amerikanë në botë.

Gërvalla dhe Meeks biseduan edhe rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe veprimet destabilizuese të Serbisë e Rusisë në rajon.

Kryediplomatja Gërvalla informoi në detaje kongresistin Meeks rreth veprimeve të ndërmarra për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, duke realizuar kështu një prej premtimeve më të rëndësishme për shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. /Telegrafi/