Tahiri: 30 maji, dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Tahiri: 30 maji, dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

Aktuale May 24, 2024 - 14:34

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka përsëritur kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje. Ai ka thënë se 30 maji do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.

Tahiri në konferencë për media, pasi dështoi seanca për tre vjet qeverisje të kryeministrit Kurti, ka thënë se komunikimi me partitë politike është intensiv.

“Puna e Kuvendit ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe një tetë muaj deri te zgjedhjet e rregullta. Mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në qershor ose korrik. Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, ose 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë koordinim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor ose 7 korrik. Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë ai.

“Sot Grupi Parlamentar i PDK-së i është përgjigjur pozitivisht grupit parlamentar të AAK-së, që në rend dite kishte një debat i cili në fund do të kurorëzojë me votimin e një rezolute e cila i bënte thirrje Qeverisë së Kosovës të tërhiqej, apo të nxirret një mocion i votëbesimit ashtu siç e kanë kërkuar në vazhdimësi. PDK-ja do ta votojë këtë nismë, pra të AAK-së, mirëpo ajo çka është e rëndësishme përtej kësaj seance përtej dështimeve të vazhdueshme. Ju e shihni gjendjen në cilën është Kuvendi i Kosovës e kemi një shumicë tashmë nuk i ka as numrat për të kaluar ligjet që janë me shumicë të thjeshtë. Ju e patë edhe dje që ishin një mori projektligjesh që u dështuan edhe të kalojnë edhe pse duhej prezenca e 61 deputetëve në sallë. Tashmë le që nuk bëhet llaf të kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare pa opozitën, po në anën tjetër nuk e ka as shumicën t’i kalojë këto projektligje që kërkohet me shumicë të thjeshtë. Ne si PDK ju bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha subjekteve politike në veçanti subjekteve politike parlamentare të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së e që është hapja rrugë e zgjedhjeve të parakohshme, shpërndarjes së Kuvendit”, tha Tahiri.