Kusari-Lila: E paimagjinueshme shpërndarja e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Kusari-Lila: E paimagjinueshme shpërndarja e Kuvendit

Aktuale May 24, 2024 - 14:30

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të seancës së Kuvendit, ku do të trajtohej shqyrtimi i projektrezolutës për tre vjet qeverisje, ka thënë se LVV-ja ka qenë në gjendje gatishmërie për përballje.

“Ne ishim të përgatitur dhe me pjesëmarrje të plotë dhe të konfirmuar. Ky debat është i konfirmuar edhe me agjendën e kryeministrit, i cili erdhi në seancë dhe që i gatshëm për t’u përballë bashkë me pyetjet e komentet”, ka thënë ajo në deklarim për media.

Kusari-Lila ka thënë se vetë deputetët e partisë propozuese të këtij debati, ata të AAK-së, kanë munguar në seancë.

“Është debati që AAK-ja e kërkuar tre muaj më parë, ndërkohë që nga ta ishin vetëm tre deputetë. Nuk e di cili është arsyetimi i partisë opozitare kur kërkon debatin dhe pastaj me tridhjetë minuta vonesë vijnë deputetët e parë në sallë”, ka thënë ajo.

Shefja e GP të LVV-së ka thënë se Qeveria është e gatshme të vazhdojë mandatin.

“Është paksa e paimagjinueshme shpërndarja e Kuvendit kur për debat të qeverisjes ka kaq pak deputetë në sallë, e lëre më të mendohet për një situatë që do të nënkuptonte përfundimin e legjislaturës së tetë”, deklaroi ajo.