Berisha e akuzon Kurtin për tradhti, u bën thirrje institucioneve të reagojnë
Hisen Berisha nga PDK-ja ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për tradhti kushtetuese dhe veprime që po e zhbëjnë Kosovën në aspektin kushtetues .
Berisha ka theksuar se veprimet e Kurtit, duke përfshirë marrëveshjen e dakorduar me Serbinë në vitit 2023, “shkelin Kushtetutën dhe e bëjnë atë përgjegjës për situatën e tanishme politike”.
Ai ka thënë se, në bazë të ligjeve penale të Evropës dhe botës, veprimet e tilla përbëjnë tradhti ndaj rendit kushtetues të Kosovës, dhe ka bërë thirrje për të ushtruar padi ndaj kryeministrit Kurti.
“Në prizmin tim Kurti me marrëveshje të vitit 2023 duke e cenuar Kushtetutshmërinë ka rrëshqitur në tradhti, dhe ndaj Kurtit po të ketë njerëz përgjegjshëm dhe institucione të përgjegjshme duhet me ushtruar padi sepse në të gjitha ligjet penale të Evropës në botë marrëveshjet dhe statuti i fundit përbëjnë tradhti ndaj rendit kushtetues të Kosovës prandaj duhet ushtruar padi ndaj tij”, ka deklaruar Berisha në Debat Plus.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk do të bëjë opozitarizëm të rrugës siç e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.
“Kemi reaguar në çdo veprim, çka ka mundur të bëhet brenda Kuvendit dihet që shumica e ka fuqinë me i dertiminu proceset, nëse keni pritur me pa opozitarizëm të tipit të Vetëvendosjes në rrugë, apo tipit të përbashkët ktynehere me ato filikaçat ato harrojeni, nuk keni me pa PDK-në kurrë, PDK-ja ka përgjegjësi institucionale është parti shtetformuese dhe nuk ka shans të bëj veprime të tilla ndaj institucioneve dhe shtetit të vet të cilin e ka vet produkt të vetin si fëmijë”, ka thënë Berisha.
Darka në mes të Kurtit e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, sipas tij, ka qenë për caktimin e datës së zgjedhjeve.