ZPS: Dëshmitari i 65-të është i afërm i një viktime të zhdukur nga Drenoci
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mban kodin W04710 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për atë i ka filluar prokurorja Alexandra Insinga, e cila nga përmbledhja që lexoi tha se dëshmitari është i afërm i një viktime të zhdukur nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dëshmitari 04710 është i afërm i një viktime që është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari 04710 do të përshkruaj se çka ka bërë viktima para se të zhdukej nga Drenoci, herën e fundit kur e ka parë atë dhe përpjekjet e anëtarëve të familjes për të kuptuar se çfarë i ndodhi këtij personi”, tha prokurorja.
Pas kësaj, me kërkesën e prokurores seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth një ditë. Një orë janë parashikuar për pyetjet e ZPS-së, ndërsa katër orë e gjysmë për ato të mbrojtjes.