Samiti i Paqes, Zelenski i telefonon Ramës: Një mik i madh i Ukrainës
Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar të mërkurën një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski, lidhur me Samitin e parë të Paqes për Ukrainën që pritet të zhvillohet më muajin qershor në Zvicër.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë presidenti i Ukrainës, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X.
“Kam biseduar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, një mik i madh i Ukrainës, për Samitin e ardhshëm të Paqes. E falënderoi për konfirmimin që Shqipëria do të marrë pjesë.”, shkruan Zelenski.
Presidenti ukrainas shkruan ndër të tjera se e ka informuar kryeministrin Rama edhe për situatën e fushëbetejës, konkretisht mbrojtjen e rajonit të Kharkiv.
“Ne diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në mbrojtje.”, përfundon Zelenski, postimin.
Çfarë është Samiti i Paqes
“Samiti i Parë i Paqes për Ukrainën”, i cili do të mbahet në qershor në Zvicër, do të shërbejë si një platformë për dialogun mbi mënyrat për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën në përputhje me Kartën e OKB-së dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Ky përcaktim është bërë në janar 2024 nga zyra e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
“Të gjitha palët e ftuara kanë konfirmuar respektimin e këtyre parimeve. Qëllimi i Samitit është të zhvillojë një kornizë për arritjen e këtij synimi në mënyrë që të frymëzojë procesin e ardhshëm të paqes”, thuhej në deklaratë.
Samiti i paqes për Ukrainën do të mbahet nga 15 deri më 16 qershor në Burgenstock, afër Lucernit, gjë për të cilën është rënë dakord mes Zelenskit dhe Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd në janar të 2024.
Organizimi i samitit është rezultat i përpjekjeve të koordinuara mes palëve ukrainase dhe zvicerane. Në të do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe krerët e qeverive nga e gjithë bota.
Për parimet themeluese të takimit u ra dakord gjatë një sërë takimesh ndërkombëtare të këshilltarëve për sigurinë politike dhe kombëtare, të cilat u iniciuan nga Zyra e Presidentit për të punuar më tej në formulën e paqes në Ukrainë.
Scholz: Askush nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë nga Samiti i Paqes për Ukrainën
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se askush nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë nga Samiti i Paqes për Ukrainën i cili do të mbahet në Zvicër në qershor.
Në një deklaratë për revistën "Stern", Scholz tha se në samitin që do të mbahet në Zvicër do të diskutohen çështjet lidhur me sigurinë e centraleve bërthamore, eksporti i drithërave, shkëmbimi i pengjeve dhe përdorimi i armëve bërthamore që duhet të jenë tabu.
"Askush nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë. Atje nuk do të negociojmë për përfundimin e luftës", tha Scholz i cili shtoi se "në rastin më të mirë, mund të bëhet fjalë për fillimin e një procesi i cili mund të çojë në bisedime të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë".
Scholz e konsideron si të pamjaftueshme mbështetjen e vendeve evropiane për Ukrainën.
"Në mënyrë të qartë nuk është e mjaftueshme. Kjo është për të ardhur shumë keq, sepse Ukraina ka nevojë në mënyrë urgjente për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore. (Presidenti rus Vladimir) Putin në mënyrë të qartë kërkon të eliminojë infrastrukturën e Ukrainës", tha kancelari gjerman.