“Mund ta krijojmë shumicën”, Haradinaj paralajmëron kryeministër nga opozita pas zgjedhjeve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar një koalicion mes partive opozitare pas zgjedhjeve të ardhshme kurdo që mbahen ato.
Ai në “Five”, ka thënë se tashmë dihet se opozita mund të krijojë shumicën parlamentare edhe nëse VV-ja del e para.
Haradinaj ka thënë se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje kur dëshiron kryeministri Albin Kurti, derisa ka thënë se partia e tij nuk e përkrah iniciativën e PDK-së, për shpërndarje të Kuvendit.
“Nuk jemi pjesë e kësaj iniciative për të shpërndarë kuvendin, na mungojnë disa qartësi. Rëndësinë e parë është që opozita në cilindo veprim ta ndërmerr së bashku. Koha e mocioni që e patëm propozu s’morëm përkrahjen e partive opozitare, megjithatë jemi përkujdes ta ruajmë bashkëpunimin mes opozitës jo vetëm në parlament. Të tria partitë jemi opozitë, mendoj se bashkëpunimi duhet bëhet për ditën pas zgjedhjeve. Nëse opozita s’ka ra dakord në të kaluarën me shku në një listë, përkundër faktit që brenda parlamentit bashkëpunojmë mirë. Atëherë bashkëpunimi duhet të bëhet pas zgjedhjeve, është e ditur që opozita e Kosovës mund të krijojë shumicë pas zgjedhjeve”, tha ai.
Ai ka kërkuar koordinim nga partitë opozitare në mënyrë që një ditë pas zgjedhjeve ta kenë përgjigjen e tyre në lidhje me qeverisjen e vendit.
“Mendoj se më e rëndësishme për Kosovën është të dihet cka ndodhë pas zgjedhjeve… Opozita duhet ta ketë përgjigjen çfarë I ofron vendit një ditë pas zgjedhjeve. Aktualisht Kurti e ka nxitim të shkohet në zgjedhjeve, sepse ai mendon që e ka përgjigjen pas zgjedhjeve. Opozita e ka me rëndësi ta ketë përgjigje cka do të ndodhë pas zgjedhjeve… Është e nevojshme t’i ndërpritet dje [Kurtit qeverisja], jo sot. Është e nevojshme që me këtë ndërprerje të mos kemi Kurti 3. Institucionet t’i krijojë opozita, veprimet tona me shku në zgjedhje duhet të jenë veprime që kanë përgjigje një ditë pas zgjedhjeve. Mund ta dërgojmë Kurtin në shpi atij kur I konvenon”, tha ai.