Cameron: Na intereson të ndihmojmë në pajtimin në rajon, hekurudha Prishtinë-Durrës projekt shumë i rëndësishëm
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron e falënderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky i tha se ai është mik i Ballkanit Perëndimor.
Cameron, i cili po qëndron në Tiranë në një vizitë zyrtare, tha pas takimit me Ramën se është në interesin e përbashkët që të ndihmojnë në procesin e pajtimit në rajon.
“Faleminderit për atë që thatë që unë jam mik i Ballkanit Perëndimor dhe i rajonit. Në fakt për mua ky është kompliment vërtetë i madh. Në fakt unë kam një këndvështrim shumë të drejtë dhe të thjeshtë, që kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë Europa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme edhe në Europë, sepse faktikisht është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë me procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe të mirëkuptimit dhe për mua kjo është përparësi dhe ka qenë përparësi edhe kur kam qenë kryeministër dhe unë do të vijojë me këtë punë”, tha Cameron.
Kryediplomati britanik përmendi projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, për të cilin tha se është “shumë shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonit”.
“Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik, dhe flas këtu në emër të kryeministrin tonë Rishi Sunak, është që kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Për eksportet, për shembull, janë rritur me 20%. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju e shpjeguat, pra nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonit. Është në fakt një marrëdhënie shumë pozitive edhe nga aspekti i mbrojtjes, në fushën e mbrojtjes. Jo vetëm partneriteti në NATO dhe puna që ne po bëjmë për të arritur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por në fakt edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë që ne i japim njëri-tjetrit. Pra, një partneritet gjithashtu edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë. Ne me kënaqësi po ndihmojmë edhe në modernizimin e gjyqësorit tuaj, ndërkohë që ju vazhdoni reformat tuaja”, tha Cameron.
Ai tha se ndjen kënaqësi të veçantë që e vizitoi Shqipërinë.
“Dhe një nga arsyet se përse dëshiroja të vija, dhe më vjen keq që është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim sukseset tuaja, sepse Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, në aspektin ekonomik, sukses në NATO, ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme e keni bërë të pamundurën dhe një punë të shkëlqyer me një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit dhe për këtë unë dëshiroj t’ju falënderoj juve, për lidershipin tuaj. Jo vetëm sepse keni fituar më shumë zgjedhje sesa kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian”, tha Cameron.