Deputetja e PDK-së: Kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por kundër janë LDK-ja dhe AAK-ja
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se partia e saj ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por që kundër kësaj ideje kanë dalë dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja.
Musliu-Shoshi nuk është shumë e sigurt se mocioni mund të kalojë, marrë parasysh votat që kërkohen për të shkarkuar Qeverinë.
Andaj, kërkon që kjo çështje të diskutohet nga liderët e partive opozitare.
“Si PDK ne kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë drejt pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Tu marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit. Prandaj mendoj që është pjesë e liderëve të partive opozitare që të konkretizojnë se si do të ecim përpara. Mirëpo nëse arrijmë si parti opozitare që t’i kemi votat, patjetër që ka mundësi të shkojmë edhe në zgjedhje, mirëpo nëse nuk ka dakordim në mes partive opozitare e liderëve, atëherë nuk e shoh se si do të jenë votat që të ecin përpara”, ka thënë Musliu-Shoshi për Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së ka thënë se janë të vetmit parti që nuk kanë vendosur vija të kuqe me partitë shqiptare dhe se këtë nuk do ta bëjnë as këtë herë.
“Ne kemi thënë se jemi e vetmja parti e cila asnjëherë në asnjë palë zgjedhje nuk ka pas vija të kuqe me asnjë parti shqiptare. Prandaj është ende shumë herët të diskutohet për një çështje të tillë. Prapë se prapë ne si PDK i kemi organet tona, është Kryesia, është Këshilli Drejtues që paraprakisht e diskutojmë, marrim mendimin dhe opinionin, votën e secilit ashtu siç mendon dhe varësisht nga opinionet e ndryshme, vendimet merren në shumicë e nuk merren vendimet me individë”, ka thënë ajo.