25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës, i dyshuari kryesor i terrorit ndodhet në një burg në BeH
Sot 25 vjet më parë në burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviqit.
25 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.
Masakra e burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.
Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.
Për këtë rast, sot do të bëhen homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës në Burgun e Dubravës.
Sinisha Petriq, i njohur ndryshe si Zenica, tashmë ndodhet në Bosnje dhe Hercegovinë.
Njeriu kryesor që dyshohet se ka kryer masakrën në Burgun e Dubravës është ekstraduar nga Spanja para pak muajsh.
Sipas mediave boshnjake, ai nga aeroporti është dërguar menjëherë në burgun e Foçës të Bosnjës.
Gjykata e Qarkut në Banja Lukë miratoi dënimin e Petriqit në BeH edhe më herët.
Ai njihet si krahu i djathtë i Luka Bojoviqit, si dhe për vrasjet gjakftohtë dhe monstruoze në mbarë Evropën.
Si i mitur, “Zenica” ishte anëtar i grupit të vrasësve të Marinka Magda, i cili masakroi 14 persona në Vojvodinë dhe Hungari. Ekipi i Petriqit punoi për Magdën, kështu që në janar të vitit 1994, në vetëm një natë, në Suboticë, ata vranë Milanin, Stanin dhe djalin e tyre Danet Petriqin, i cili në atë kohë ishte vetëm 11 vjeç, si dhe Vera dhe Josip Agatiq.
Ekstradimi i tij u bë dje pasi i njëjti është shtyrë dy herët e tjera.
Më herët, Gjykata e Qarkut në Banja Luke ka njoftuar se ka nxjerrë një vendim për njohjen e vendimit të gjykatës kombëtare spanjolle për shkak se janë plotësuar kërkesat ligjore, si dhe kërkesat nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu, gjykata pranoi se Petriq po vuan dënimin në Bosnje dhe Hercegovinë.
Me vendim të gjykatës kombëtare në Spanjë, Petriq u dënua me pesë vjet për krim të organizuar dhe për posedim të një arsenali lufte të armëve dhe armëve të zjarrit me 10 vjet burg. Siç shpjegohet në deklaratën e Gjykatës së Qarkut të Banja Lukës, ajo për të cilën Petriq u dënua në Spanjë janë vepra penale sipas legjislacionit vendas.
Krimineli serb për të cilin dështoi ekstradimi nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë dy herë me radhë, njihet mjaft mirë nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës.
Sinisha Petriq, i njohur me nofkën ‘Zenica’, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe ishte dërguar në Dubravë si i burgosur, por aty i ishte dhënë një armë e kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë.
Në periudhën e luftës në Kosovë, ai kishte përfunduar në Burgun e Dubravës, ku serbët e dënuar me dënime të rënda, përfshirë dënime kapitale, kishin marrë një ofertë: të vrisnin shqiptarë të burgosur aty në këmbim të lirës.
Ai, bashkë me ekzekutorë të tjerë, lidhen me dyshimet për vrasjen e 95 shqiptarëve.
Atë fort mirë e kujton Dëfrim Rifaj, që bashkë kishin ndarë edhe burgun e Nishit e edhe atë të Dubravës.
Rrethanat e çuditshme që kanë quar në ekstradimin e tij nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë, nuk e gëzojnë atë, pasi sipas tij, i njëjti do të duhej të ballafaqohej me krimet e kryera në Kosovë.
“Emrin e tij le se e kam dëgjuar, por edhe e kam njohur personalisht, sepse ka qenë i dënuar dhe vuajtjen e dënimit e ka pasur në Burgun e Nishit. Kemi qenë bashkëvuajtës. Ka qenë ordiner, i burgosur kriminel, me plot kuptimin e fjalës. Me fillimin e bombardimeve merret vendim që ata me dënim me vdekje dhe të përjetshëm të sillen në Kosovë. E njoh mirë. E kam pas dy hapa para kur na kanë qit në pushkatim”, ka thënë Dëfrim Rifaj, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
Emri i tij është i njohur edhe për të mbijetuarit e tjerë të Masakrës së Dubravës, por dënimi i tij eventual, nuk është i mjaftueshëm për disa prej tyre, meqë urdhërdhënësit vazhdojnë të mbeten të lirë.
“Emrat e përveçëm, për mua si një i mbijetuar nuk do të thonë asgjë, për shkak se procesi është shumë më i ndërlikuar. Do duhej të ketë një qasje tjetër, për shkak se përgjegjësit kryesorë për organizmin e kësaj masakre, dhe ekzekutimin e kësaj masakre nuk po përmenden fare, pra është vijë institucionale e Serbisë”, ka deklaruar deputeti Enver Dugolli.
Përderisa në duar mban listën me 200 emrat e kriminelëve të Masakrës së Dubravës, i mbijetuar Nait Hasani tregon se dënim s’kanë marrë as 1% e tyre, por që shpresën e ka akoma.
“ Janë dy raste. Një rast është në Prishtinë një gardian që ka marrë pjesë në torturat tona të të burgosurve, drejtpërdrejt në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit. Ai është i arrestuar, dhe të njëjtën kohë gardiani i Dubravës, Gagi. Pra vetëm këto dy raste i kemi nga 190 raste tjera që janë, të pjesëmarrësve që në forma të ndryshme kanë torturuar, vrarë dhe masakruar në Dubravë, bashkë me ushtrinë policinë dhe të burgosurit serbë që kanë qenë”, është shprehur Nait Hasani më herët për rtv Dukagjinin.
Përveç si pjesëmarrës në masakrën e Dubravës, në maj të vitit 1999, Petriq, lidhet edhe me rrethanat e pandriçuara të vrasjes së të rinjve serb në kafenenë Panda, për të cilin kishte pasur tentime që të fajësohen shqiptarët.
Ekstradimi i tij drejtë Bosnjes, për vuajtje të pjesës së mbetur të dënimit për krim të organizuar e një arsenal armësh që i ishte kapur në Spanjë, pritet që të bëhet në muajin e ardhshëm.
Por mediat boshnjake, kanë paralajmëruar për mundësinë që ai pas një kohe të shkurtër, të përfundojë sërish në liri, pavarësisht pretendimeve për krime të rënda që rëndojnë mbi të.