Kurti takohet me partnerët e koalicionit nga komuniteti joshumicë, flasin për zgjedhje
Kryeministri, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, kanë takuar partnerët e koalicionit nga komuniteti joshumicë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Kurti e Kusari-Lila, kanë pritur në darkë pune zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kryetarin e Grupit Parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetarin e Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët, Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi, me të cilët bisedoi për agjendën legjislative dhe rëndësinë e dinamikës së miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë.
Në njoftim thuhet se Kurti, informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve joshumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete”, thuhet në njoftim.