Kosovari shkoi në Shkup ta operojë këmbën e majtë, ia operuan të djathtën
Remzi Toçilla nga Kosova ka përjetuar një përvojë të hidhur në një spital privat në Maqedoni të Veriut, ku kishte shkuar për ta kryer operimin e këmbës.
Siç tregoi ai mjeku atje ia operoi këmbën tjetër, jo atë për të cilën kishin rënë dakord.
“Edhe pse ishin bërë të gjitha analizat laboratorike dhe analizat tjera me rezonancë magnetike, dhe mjeku që e ka kryer operacionin i kishte ato në dispozicion, megjithatë fundi doli diçka krejt tjetër: në vend të këmbës së majtë u operua e djathta. Atë e vërejta kur dola nga salla e operacionit”, rrëfen Toçilla, për Klan Kosova.
Ai tutje tregoi se në spital atje kishte shkuar pasi kishte pasur probleme me dhimbje të vogla të meniskusave.
“Mjeku për t’u arsyetuar thoshte se ‘e pash se këmba e djathtë është lënduar nga këmba e majtë se ka tentuar që ta kalojë peshën në këmbën tjetër, kështu që ka pësuar edhe këmba e djathtë, ashtu që vendosëm aty për aty ta bëjmë operacion njëherë këmbën e djathtë, e pas dy-tri javësh do ta bënim edhe të majtën’”.
Ky arsyetim i mjekut, sipas pacientit Toçilla, ishte vetëm sa për të dalë nga situata.
“Unë me argumente i tregova se nuk qëndron ajo që ai flet. Menjëherë pas operacionit i thash mjekut se pa kurrfarë analizash të mëparshme e as ndonjë fotografi rentgeni e rezonancë magnetike e more guximin ta bësh një gjë të tillë pa autorizimin tim. Në dokumentet që i kam nënshkruar para se të hyja në operacion, aty figuron çdo për këmbën e majtë”, shprehet ai.
Remzi Toçilla bëri të ditur se ka angazhuar një avokat nga Maqedonia e Veriut dhe se kanë bërë padi në gjykatë në Shkup.
“Kemi biseduar me avokatët e Sistinës për ta gjetur një kompromis, por ata nuk u pajtuan, dhe kompromisi i tyre i vetëm ishte që ta bëjnë operacion këmbën e majtë pa para, pra gratis. Unë u thash jo, se arsyeja e vetme është që nuk i besoj më”, sqaroi Toçilla.