Marrëveshja për burgje me Danimarkën, Bajrami: Prapë votoj kundër – dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se do të votojë prapë kundër Marrëveshjes Ndërkombëtare për dhenien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan.
Ajo shkroi në Facebook se miratimi i kësaj marrëveshjeje është “gabim dhe nuk duhet ta bëjmë Kosovën vend për të sjellë të burgosur”.
“Parlamenti i Republikës së Kosovës e ka rrëzuar me votë Marrëveshjen e Ndërkombëtare për dhenien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan. Qeveria sot në një mbledhje online e ka miratuar edhe një herë këtë projektligj me qëllim që prapë ta sjellë këtë marrëveshje në Kuvend. Unë kam votuar kundër javën e kaluar do të votoj prapë kundër. Miratimi i kësaj marrëveshje është gabim dhe nuk duhet të bëjmë Kosovën vend për të sjellë të burgosur. Kosova duhet të krijojë kushte për investime të huaja”, shkroi Bajrami.
“Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur”, shtoi ajo.
“Po ja rikujtoj Qeverisë se sipas raporteve të ministrisë se Financave në tri vitet e fundit kanë paguar 34 milionë euro qira, për shfrytëzimin e ndërtesave private për institucionet publike. Ndërtesat publike duhet të përdoren veç për interesat e qytetarëve, e sjellja e të burgosurëve nga Danimarka, e të cilët as të këtij vendi nuk janë veç interes qytetar nuk mund të jetë”, shkroi deputetja e LDK-së.