Kurti i ankohet Allenit për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës
Foto: ZKM

Kurti i ankohet Allenit për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale May 19, 2024 - 14:30
Takimi Kurti-Allen, kryeministri shpreh shqetësimin për kërcënimet nga Serbia dhe lënien në liri të Radoiçiqit

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, ka shprehur shqetësimin e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Kurti po ashtu ka shprehur keqardhjen që nuk ishte përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për 17 maj, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. 

“Në takim u diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj. Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet në vend, progresin në sundimin e ligjit, politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe politikat dhe investimet në energji”, u tha nga Zyra e Kryeministrit.