Kontingjenti i 41-të i forcave kroate nesër niset për në Kosovë
Kroacia vazhdon të tregoj mbështetjen e saj në forcimin e sigurisë në Kosovë. Si rezultat i kësaj, nesër do të dërgojë kontingjentin e 41-të në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar na ministria kroate e Mbrojtjes.
Ministria ka njoftuar se ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të 41-të do të mbahet në Zagreb.
“Përcjellja solemne e kontingjentit të 41-të kroat (HRVCON) për në operacionin e mbështetjes së paqes KFOR në Republikën e Kosovës do të mbahet të hënën më 20 maj 2024 në kazermën “1. brigada gardiste Tigrat – Kroacia” në Zagreb, me fillim në orën 15:00”, thuhet në njoftim.
Në ceremoni do të marrë pjesë nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe ministri i mbrojtjes, Ivan Anushiq.
Forcat e kontingjentit të 41-të HRVCON të KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të kompanisë së këmbësorisë së motorizuar, njësisë ajrore, njësisë ISR, njësisë shtabore, elementeve kombëtare të mbështetjes logjistike dhe inteligjencës, si dhe ekipit mjekësor.