Kurti takohet me ambasadorin e Britanisë, flasin për rezultatin e mbledhjes në Këshillin e Evropës
Rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Evropës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit në takimin që pati dje kryeministri Albin Kurti me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Në një njoftim nga Qeveria, thuhet se kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se në takim u bisedua edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.
“Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar”, thuhet në komunikatë. /Zëri