Dështimi në KiE, zëdhënësi i VV-së: Ata që po zhurmojnë sot janë pjesë e problemit që na përcjell nga 2013
Zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka, e ka quajtur të padrejtë që Komiteti i Minsitrave të Këshillit të Europës nuk e futi në agjendën e takimit të sotëm kërkesën e Kosovës për anëtarësim.
“Sot u mor një vendim i padrejtë ndaj Kosovës, jo vetëm Qeverisë. Siç tha ministrja Gërvalla, nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës”, ka shkruar ai.
Duke cituar kryeministrin Kurti, zëdhënësi i Vetëvendosjes tha se Serbia po kërkon diçka më shumë sesa propozimet e Kosovës për Asociacionin dhe më shumë sesa Marrëveshja Bazike. Ai ka kritikuar opozitën se problemi i sotëm është i trashëguar prej tyre.
“Propozimet tona për ta tejkaluar këtë ngërç siç ka thënë edhe Kryeministri janë përbrenda 3 shtyllave, pra përbrenda kushtetushmërisë dhe ligjeve aktuale. E Serbia kërkon diçka përtej tyre. Ajo po e kërkon 2013 dhe 2015, jo 2022 e as 2024. Ndërkaq, këta që po zhurmojnë sot, janë të fundit që do të mund të ofronin zgjidhje, meqë vetë janë pjesë e problemit që na përcjell nga viti 2013”.