Deputeti Kastrati hedh dyshime për keqpërdorim të buxhetit për tekstet shkollore
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka hedhur dyshime se ka pasur keqpërdorime të buxhetit nga Ministria e Arsimit në vitin e kaluar për tekstet shkollore.
Në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, Kastrati e ka quajtur hajni të MASHTI-t keqpërdorimin e buxhetit për tekstet shkollore, teksa i ka drejtuar disa pyetje.
Ai ka pyetur se si është organizuar procesi i subvencionimit të teksteve shkollore në të gjitha fazat dhe se a kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore.
Në mesin e shumë pyetjeve, Kastrati tha se duhet të sigurohen proceset verbale dhe të shihet se pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese.
“Po e quaj hajni në MASHTI, po i drejtoj disa pyetje MASHTI-t, pse ka dështuar negociatat në shtëpitë botuese, duhet të sigurohen proceset verbale, si është organizuar procesi i subvencionimit në të gjitha fazat, A kanë përfituar të gjithë nxënësit nga mjetet mësimore? Cilat kanë qenë ofertat e shtëpisë botuese”, ka pyetur Kastrati.
Ai ka thënë se këto pyetje duhet t’u dërgohen edhe drejtorive komunale të arsimit.
Po ashtu edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka drejtuar disa pyetje në Komision, duke thënë: “se e ka pasur vonesë në furnizim me tekste shkollore”, teksa ka kërkuar edhe një listë të prindërve dhe nxënësve që janë subvencionuar për tekstet shkollore duke thënë se të njëjtët kanë mundur të jenë jashtë vendit.
Ai ka kërkuar listat të tilla në mënyrë që të shihet a janë përmbushur të gjitha obligimet ligjore në lidhje me subvencionimin e teksteve shkollore.
Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet më 26 prill. /EO