ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të popullsisë
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Ylli Shala, menaxher i Projektit në Agjencinë e Statistikave (ASK), ka theksuar se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve.
Sipas tij, në ditën e fundit pritet të punohet me orar të zgjatur për të pritur fluksin e qytetarëve, të cilët ende nuk janë regjistruar.
Shala ka theksuar se ky proces ka qenë një nga projektet më të mëdha në vend dhe ka kërkuar angazhim të madh nga të gjithë palët pjesëmarrëse.
“Qëllimi i regjistrimit të popullsisë nuk është vetëm numri i popullsisë, brenda këtij regjistrimi marrim shumë informacione të tjera, të cilat kanë me qenë shumë të leverdishme për komunat, Qeverinë, Kosovën për ASK-në, për shkak që kemi shumë indikator që nuk kemi mundur me i dërguar në EUROSTAT pa u kryer procesi i regjistrimit”, ka deklaruar mes të tjerash Shala për RTK-në.
Ai gjithashtu ka shtuar se teknologjia e përdorur mundëson daljen e rezultateve preliminare brenda muajit qershor dhe atë përfundimtar deri në fund të vitit.
Megjithatë, Shala ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që ende nuk janë regjistruar, duke potencuar se mosregjistrimi do të ndëshkohet me gjoba deri në 2000 euro për individ dhe deri në 20.000 euro për subjekte politike.