Kosova dhe Britania nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes ushtarake
Foto: Facebook

Kosova dhe Britania nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes ushtarake

Aktuale May 16, 2024 - 19:08

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka nënshkruar sot me Ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në një njoftim në rrjetin social Facebook ka shkruar se kjo marrëveshje do të formësojë edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm bilateral në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi përfshinë koordinimin për mbështetjen e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO, realizimin e ushtrimeve dhe trajnime të përbashkëta, mbështetje dhe trajnime për operacione ndërkombëtare dhe misione ushtarake, si dhe shkëmbim përvojash në fusha të tjera”, thuhet në njoftim, përcjell Zeri.info.

Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës është shprehur mirënjohëse ndaj Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë.

Edhe Britania e Madhe ka përshëndetur këtë marrëveshje, duke deklaruar se Memorandumi do të ndikojë në rritjen e sigurisë rajonale. /Zëri