Letra e përbashkët e Gjermanisë, Francës e Italisë, reagon Abdixhiku: Dështim spektakolar, turpërim ndërkombëtar, e dëm historik
Foto: Laura Hasani

Letra e përbashkët e Gjermanisë, Francës e Italisë, reagon Abdixhiku: Dështim spektakolar, turpërim ndërkombëtar, e dëm historik

Aktuale May 16, 2024 - 19:03

Qeveria e Kosovës ka marrë përgjigje të drejtpërdrejtë nga udhëheqësit e tre vendeve kryesore evropiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Në një letër të përbashkët, kancelari gjerman, kryeministrja e Italisë dhe presidenti i Francës i kanë bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se pranimi i Kosovës në këtë institucion nuk do të jetë i mundshëm pa krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, këtë e ka përshkruar si “një dështim spektakular,” “një turpërim ndërkombëtar,” dhe “një dëm historik”.

Abdixhiku ka vënë theksin në atë që ai e sheh si një seri gabimesh të bëra nga Qeveria e Kosovës, duke përfshirë një ndryshim të papritur në strategjinë dialoguese dhe një dështim në të kuptuarit e rëndësisë së diplomacisë serioze.

“Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë,” thekson ai.

Kreu i LDK-së bën thirrje për një ndryshim të menjëhershëm në qasjen e Qeverisë, duke përdorur këtë moment si një rast për vetëreflektim dhe për të mësuar nga gabimet.

Ai përsërit vendosmërinë e LDK-së për të qëndruar në rrugën e duhur dhe për të propozuar një qasje më përgjegjëse ndaj detyrimeve ndërkombëtare.

Abdixhiku theksoi nevojën për liderë që të dallojnë nga populistët, duke vënë interesat e vendit mbi lojërat politike.

Ai paralajmëron se nëse situata nuk ndryshon, Kosova mund të shndërrohet në një shtet pa perspektivë dhe të zymtë, dhe bën thirrje për një kthesë të menjëhershme që do të përfshijë dorëheqjen e udhëheqësve aktualë, shpërndarjen e Qeverisë, dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për të rikthyer politikën normale.