Çitaku: Skandaloze letra e Gërvallës, diplomacia nuk është lojë fëmijësh
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Skandaloze letra e Gërvallës, diplomacia nuk është lojë fëmijësh

Aktuale May 16, 2024 - 17:02

Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se letra e Ministres së Punëve të Jashtme është skandaloze në përmbajtje dhe në formë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Ndaj kësaj letre ka pasur reagime të shumta nga opozita.

Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se letra e Ministres së Punëve të Jashtme është skandaloze.

“Skandaloze letra e Ministres së Punëve të Jashtme. Skandaloze në përmbajtje, skandaloze në formë. Skandaloze në mesazhin që përçon tek aleatët. Diplomacia nuk është lojë fëmijësh”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg. Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos.