Hamza falënderon deputetët për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që peshojnë miliona euro

Hamza falënderon deputetët për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që peshojnë miliona euro

Aktuale May 16, 2024 - 14:27

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka falënderuar deputetët që votuan sot në Kuvend për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve.

Hamza, mes të tjerash, tha se këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë shumë më mirë. Sot deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. I falënderoj deputetët që votuan për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Personalisht, jam mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve. Këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës që do ta krijojmë me qeverisjen e re. Kjo ka qenë gjithmonë bindja ime dhe është qëndrimi im i shprehur së fundmi edhe publikisht më 4 prill. Përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë”, shkroi Hamza. /Zëri