Komiteti i Ministrave nesër mund ta vendosë një datë tjetër për anëtarësimin në KiE, thotë Ahmeti
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se për letrën që Kosova e dërgoi dje në Strasburg, përmes së cilës tha se po e harton një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë njoftuar shtetet partnere.
Ahmeti tha se “letra nuk është publikuar pa u dërguar nëpërmjet kanaleve zyrtare, pra fillimisht është dërgu në kanalet zyrtare”.
Me këtë letër Qeveria synon që në momentin e fundit të mos e lërë të ikë mundësinë për anëtarësimin e vendit në KiE këtë muaj.
Ndërsa çështja e Kosovës nuk është futur në rend dite të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ahmeti tha se ata mund të vendosin një datë të re për anëtarësimin.
“Në rast se nuk ka gatishmëri politike dhe vullnet që të ndryshohet agjenda në këtë periudhë që ka mbetur për nesër, sigurisht që ministeriali nesër mund ta vendosë një datë të radhës se kur do të mundë të bëhej kjo gjë dhe të përfundohet. Dhe kjo do të ishte një shenjë e qartë e ecjes përpara në mënyrë që ecim edhe ne me propozimin tonë”, tha Ahmeti në një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten Donika Gërvalla.