Lëvizja e fundit për Asociacionin, Hoti: Qeveria s’e dëgjoi SHBA-në, vështirë të dalë pa pasoja
Foto: Laura Hasani

Lëvizja e fundit për Asociacionin, Hoti: Qeveria s’e dëgjoi SHBA-në, vështirë të dalë pa pasoja

Aktuale May 16, 2024 - 12:18

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se përgatitja dhe dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese do të duhej të bëhej kur SHBA-ja kërkonte vitin e kaluar.

“Përgatitja dhe dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese do të duhej të bëhej kur kërkonte SHBA-ja, e cila vitin e kaluar i kërkonte Qeverisë së Kosovës të përgatiste vetë draftin”, shkroi ai në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq Hoti shkruan se Qeveria nuk mori parasysh këtë kërkesë dhe si rezultat iu dorëzua drafti nga BE-ja, transmeton Zeri.info.

“SHBA-ja u zotua atëherë t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në përgatitje të draftit. Qeveria nuk e mori parasysh atë kërkesë të SHBA-së. Si rezultat, Qeverisë iu dorëzua drafti nga BE-ja, në stilin ‘merre ose lëre’”, shkroi ai.

Ndërsa, sipas tij, Qeveria e Kosovës është fundosur në procesin e dialogut dhe kërkon ndihmë për të dalë nga aty, por vështirë të dalë pa ndihmën e miqve dhe pa pasoja.

“Kur zhytesh në batak, siç është zhytur Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut, kërkon ndihmë për të dalë nga aty dhe një ndihmë e tillë nuk ka munguar nga aleatët dhe opozita. Nëse lëviz duke qenë i zhytur në batak, atëherë fundosesh më thellë. Mandej vështirë del edhe me ndihmën e miqve dhe nuk del pa pasoja”, u shpreh ai. /Zëri