Kosova do ta dorëzojë draftstatusin e Asociacionit në Kushtetuese, e njofton Këshillin e Evropës

Kosova do ta dorëzojë draftstatusin e Asociacionit në Kushtetuese, e njofton Këshillin e Evropës

Aktuale May 16, 2024 - 09:03

Kosova pritet të dorëzojë drafstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, kusht ky të cilin e kanë kërkuar disa shtete të BE-së përpara se të votohet për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të anëtarëve të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet sot dhe nesër.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar sot në mëngjes se në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82% të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës.

“Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.

Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundësimin ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se pas këtij zotimi të Kosovës, presin nga Këshilli i Evropës që të përmbushin pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojnë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesa KiE-së, transmeton Zeri.info.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.

“Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkroi Gërvalla. /Zëri