Maqedonci vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, synim thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Maqedonci vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, synim thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

Aktuale May 15, 2024 - 13:38

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se nga 15 deri më 17 maj do të bëjë një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Maqedonci, në një postim në Facebook, njoftoi se gjatë kësaj vizite do të nënshkruajë edhe marrëveshje bashkëpunimi, që synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

“Gjatë vizitës do të kem takim zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar me ministrin e Forcave të Armatosura, Leo Docherty, me të cilin do të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e përditësuar të Bashkëpunimit, që synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Po ashtu do të kem takime me zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Qeverisë britanike”, shkroi Maqedonci në Facebook.

Ai ka njoftuar gjithashtu se do të vizitojë edhe Ambasadën e Kosovës, ku do të ketë takim me bashkatdhetarët tanë, si dhe do të vizitojë kontingjentin e FSK-së, që po zhvillon trajnim për trupat ukrainase, në kuadër të operacionit Interflex.