LDK-ja mblidhet për “zgjedhjet e ardhshme”
Foto: Facebook

LDK-ja mblidhet për “zgjedhjet e ardhshme”

Aktuale May 14, 2024 - 18:12
Abdixhiku takon kryetrarët e degëve të LDK-së, flasin për listat zgjedhore, komisionarët dhe vëzhguesit

Diskutimi për “listat zgjedhore, komisionarët e vëzhguesit” ka mbledhur në një takim të martën kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me kryetarët e degëve të kësaj partie.

“Mblodha sot kryetarët e kryetaret e degëve të Lidhjes Demokratike. Diskutuam për listat zgjedhore, komisionerët e vëzhguesit e Lidhjes Demokratike. Biseduam dhe për takimet e ardhshme me qytetarë si platformë kryesore e komunikimit politik. Të 170 takimet e fundit, brenda 50 ditëve, ishin jo vetëm frymëzuese, por dhe shenjë e qartë e konsolidimit të së djathtës në Kosovë. Do të vazhdojmë njëjtë; në çdo qytet, çdo fshat, çdo anë. Lidhja është e fortë; dhe e djathta po ringritet si një!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Mobilizimi” i LDK-së ndodh një ditë pasi kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, diskutuan edhe për mundësinë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt.

Në takim Kurtit nuk i shkuan Abdixhiku e as kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas takimit Kurti-Krasniqi, LDK-ja në një komunikatë për media u shpreh se “zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e Kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e Kuvendit”.