Dinari nesër takon sërish Bislimin dhe Petkoviqin, BE-ja optimiste se do të ketë ujdi

Dinari nesër takon sërish Bislimin dhe Petkoviqin, BE-ja optimiste se do të ketë ujdi

Aktuale May 14, 2024 - 16:04

Çështja e dinarit do të diskutohet nesër në Bruksel në takimin e radhës mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano të hënën deklaroi se në takimin e nesërm do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje rreth kësaj teme.

“Do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të përkohshme për vendimin e BQK-së për operacionet financiare. BE-ja pret nga takimi i të mërkurës që të dyja palët të tregojnë gatishmëri për kompromis”, tha Stano.

Ai mes tjerash theksoi se shpreson që ky do të jetë takimi i fundit rreth dinarit.

Nga ana tjetër, edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

“Do të jem nikoqir i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për bisedimet me synim gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme të qëndrueshme për të gjithë ata që janë prekur nga rregullorja e BQK-së. Jam i bindur se mund të arrihet një marrëveshje, por kjo kërkon fleksibilitet dhe kompromis nga dy palët”, shkroi ai në Facebook.

Nga 11 maji, ka përfunduar zyrtarisht periudha tranzitore e Bankës Qendrore, me ç’rast zyrtarisht euroja është valutë e vetme që mund të përdoret për pagesa në Kosovë.