Rakiqi arrin marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie për mosraportim të saktë të pasurisë

Rakiqi arrin marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie për mosraportim të saktë të pasurisë

Aktuale May 14, 2024 - 12:53

Goran Rakiq, i cili po akuzohet se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga 2 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Rakiqi, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me Nenin 5 të Ligjit për deklarim, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve së lartë publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

Aktakuza thotë se Rakiqi në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021 nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në ndërmarrjen publike “Standard” në Mitrovicë.

Me këto veprime, Rakiqi po akuzohet se ka kryer veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga Neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.