Istrefi: Pengimi i anëtarësimit në KiE në këtë fazë e dëmton Kosovën

Istrefi: Pengimi i anëtarësimit në KiE në këtë fazë e dëmton Kosovën

Aktuale May 13, 2024 - 20:49

Një nga rastet e shumta ku Serbia lobon kundër Kosovës është edhe përpjekja për ta penguar anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Prandaj, në kohën kur vetëm edhe disa ditë kanë mbetur deri në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Kosova ende nuk është përfshirë në agjendën për votim për anëtarësim.

Njohës të zhvillimeve politike deklarojnë se kjo situatë ka shtuar dilemat se diçka do të mund të ndryshojë në dy ditët e mbetura para këtij takimi.

"Mbetet që njëra palë të ndërroj qëndrim. Sa e di Kosova ka dalë hapur, ka sqaruar se nuk planifikon të dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese. Mbetet eventualisht ndryshim i kërkesës së QUINT-it, në rast se kjo ndodhë nuk ka pengesa eventuale që Kosova të hyjë në agjendë, por mundësitë që kjo të ndodhë janë tepër të vogla", ka theksuar Kushtrim Istrefi, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Utrehtit.

Aleatët ndërkombëtarë, sipas Istrefit, do të duhej ta ndihmonin Kosovën në fuqizimin e shtetësisë së saj.

“Pengimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë fazë, qoftë me vetëdije ose pavetëdije nga ana e QUINT-it do të ketë për efekt mosfuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe mosfuqizimin e të drejtave të njeriut, posaçërisht të minoriteteve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Lista e shteteve anëtare që ia kërkuan Kosovës dërgimin e draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kushtetuese është shtuar disa ditë para 16 majit.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, me arsyetimin e ai është pjesë e dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, ku ka selinë Këshilli i Evropës. /rtk