Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë vitit 2023 rekomanduan suspendimin e 71 punonjësve policorë
Foto: Laura Hasani

Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë vitit 2023 rekomanduan suspendimin e 71 punonjësve policorë

Aktuale May 13, 2024 - 10:58

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se gjatë vitit 2023 kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë të gradave dhe niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale.

Hodaj këto të dhëna i dha gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2023, ku tha se gjatë viti të kaluar kanë hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policorë.

Ai ka thënë se kanë arrestuar edhe 35 punonjës të PK-së dhe qytetarë.

“Viti 2023 ka qenë një vit i suksesshëm në përmbushjen e mandateve tona. Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë një ndër prioritetet tona. Kemi arritur ta rrisim besueshmërinë te qytetarët. Jemi angazhuar që të rrisim besimin qytetar në sistemin e trajtimit të ankesave. Kemi pranuar 1697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuar nga qytetarët. 32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal. Jemi angazhuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenaxhimit. Kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policorë. Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë. Kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë të gradave dhe niveleve të ndryshme”, ka thënë ai.