Më në fund, çmimet e barnave ulen dhe unifikohen gjatë kësaj vere
Foto: Zëri / Ilustrim

Më në fund, çmimet e barnave ulen dhe unifikohen gjatë kësaj vere

Aktuale May 13, 2024 - 10:56

Më në fund, me një vit vonesë, pritet implementimi i Ligjit për çmimin e produkteve mjekësore.

Kësisoj, gjatë kësaj vere pritet të unifikohen çmimet e barnave në secilën barnatore në Kosovë.

Kjo do të mundësohet nga implementimi i Ligjit për çmimin e produkteve mjekësore, ndonëse ky ligj u aprovua në verën e vitit 2023.

Sipas kryeshefit të Agjencisë së Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale, Sejdë Tolaj, është duke u bërë një punë e madhe nga Komisioni dhe Ministria e Shëndetësisë për implementim të këtij ligji.

Ai në Klan Kosova tha se gjatë këtij muaji (maj) pritet të përmbyllet lista me çmimet e barnave dhe më pas të aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Tolaj tha se bazë këtij ligji çmimi do të jetë i njëjtë për barna të njëjta në secilën barnatore në Kosovë. Madje, sipas tij, do të ketë edhe ulje të çmimit të barnave, pasi parashihet një marzhë e fitimit edhe për barnatoret.