Woelk: S’ka rrezik që Kosova të mos futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së

Woelk: S’ka rrezik që Kosova të mos futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së

Aktuale May 03, 2024 - 14:38

Asistentja parlamentare e PE-së, njëherësh avokuese e madhe e sovranitetit të Kosovës, Federica Woelk, i tha RTV21 se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Jo, nuk mendoj se ASM-ja është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KE. Mendoj se disa MS e përdorin atë si justifikim, por është shumë e qartë nga raporti se anëtarësimi i Kosovës nuk varet nga ASM-ja. Jo, nuk ka absolutisht asnjë rrezik që Kosova të mos përfshihet në agjendën e Këshillit të Ministrave të KE-së. E kaloi me sukses hapin e parë, ata nuk mund të kthehen tani, është shumë vonë dhe do të ishte e turpshme për Institucionin e Këshillit të Evropës”, tha Woelku.

Sipas Woelkut, çështja e themelimit të Asociacionit po keqpërdoret nga disa shtete që po dëshirojnë të mbajnë raporte të mira me Serbinë.

“Dhe jo, Asociacioni NUK është kusht. Italia po e keqpërdor këtë për të mbajtur marrëdhënie të mira me Serbinë, por ASKUSH nuk e vuri si kusht dhe raporti është mjaft i qartë, duke thënë se PAS anëtarësimit Kosova do të duhet të punojë për këtë, jo më parë”, tha Woelku për RTV21.

Mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës pritet të mbahet më 17 maj.