Rënia për 19 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave, zëdhënësi i Qeverisë tregon ç’ndikoi në këtë
Foto:Laura Hasani

Rënia për 19 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave, zëdhënësi i Qeverisë tregon ç’ndikoi në këtë

Aktuale May 03, 2024 - 14:02

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij”, të cilët e renditën Kosovën 19 pozita më poshtë sa i përket lirisë së shtypit, ka thënë se janë dy çështje kryesore që kanë ndikuar në këtë renditje, si sulmet ndaj gazetarëve nga bandat kriminale serbe në veri në muajt maj-korrik të vitit të kaluar dhe rasti i Klan Kosovës.

“Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit. E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale ‘sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’. E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova SHPK është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim ‘Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës’”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Sipas tij, kjo renditje e sivjetme nuk duhet të dekurajojë, pasi siç thotë ai, ky vit nuk ka qenë i lehtë sidomos në aspektin e sigurisë.

“Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF-së, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajojë sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike”.

Ai ka theksuar se veriu ka qenë sfidues si për policinë, ashtu edhe për gazetarët sa i përket raportimit.

“Në veri Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë. Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë”.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së Klan Kosovës, ai ka thënë se aty është evidentuar një shkelje ligjore, pasi sipas tij, pas denoncimit publik, “Klan Kosova SHPK ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar, ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte”.

Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75-të në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.

Në raportin e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

“Rregullatori joefikas i medieve, Komisioni i Pavarur i Mediave [KPM], po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova, ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK, me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet në postin e drejtorit. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Në raport thuhet se gjatë vitit, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe “rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre”. Në raport thuhet po ashtu janë rritur paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] ndaj gazetarëve.

“Edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht. Sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në raport.

Gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve të tyre majin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

Në raportin e “Reporterëve pa Kufij” u tha po ashtu se mediat në Kosovë janë të varura nga reklamat qoftë “nga Qeveria ose nga partitë politike”.

“Për më tepër, përmes pronarëve të tyre, mediat private janë të ekspozuara nga ndikimi i grupeve të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfida edhe më të mëdha në tregun e vogël, ku disa media varen nga financimi që vjen nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk mund të mbijetojnë pa financim ndërkombëtar”.