Komunës së Vushtrrisë i kërkohet të ndërpresë tenderin rreth 600 mijë euro për shërbime konsulente

Komunës së Vushtrrisë i kërkohet të ndërpresë tenderin rreth 600 mijë euro për shërbime konsulente

Aktuale May 03, 2024 - 12:05

Demokraci Plus ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë të ndërpresë aktivitetin e prokurimit për shërbime konsulentë sepse, sipas tyre po bie në kundërshtim me Ligjin dh Rregulloren e Prokurorimit Publik, si dhe kontraktimi përmes këtij aktiviteti paraqet keqmenaxhimin e parasë publike.

“Komuna e Vushtrrisë në mars të vitit 2024 ka iniciuar tender për kontraktimin e 40 konsulentëve përmes tenderit me numër të prokurimit VU644-24-1704-2-1-1, me vlerë të parashikuar prej 591,841.60 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Rregulloren nr. 001/2022 për prokurimin publik”, thuhet në njoftimin e Demokraci Plus.

Demokracia Plus ka përmendur se Neni 57.2 parasheh që konsulentët përmes procedurave të prokurorimit mund të kontraktohen vetëm për shërbime të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, transmeton Zeri.info.

“Ndërsa Komuna e Vushtrrisë, po planifikon të kontraktoj konsulentët, në të gjitha lotet, për pozita të rregullta në drejtori të ndryshme si ato të: kulturës, prokurimit, legalizimit, arsimit, planifikimit hapësinor, bujqësisë”, thotë D+.

Në reagimin e D+ thuhet se punët të cilat pritet të angazhohen janë punë të zakonshme administrative të cilat janë detyrë dhe përgjegjësi e zyrtarëve të punësuar me proceduat e rregulla të rekrutimit.

“Këto punë përfshijnë: koordinim i punëve të Ansamblit të Vushtrrisë, organizimin e aktiviteteve kulturore, planifikim të prokurimit, asistim të anëtarëve të komisioneve vlerësuese, përpilim të raporteve mjekësore dhe kryerja e ekzaminimeve, bashkëpunim me komunitete, të ndihmojnë në hartim të dokumenteve, të kryejnë analiza laboratorike, të shqyrtojnë kushte e leje ndërtimore, të shqyrtojnë kërkesat për leje të legalizimit etj.” thuhet në njoftim.

Ndërkaq Neni 57.4 sqaron se me konsulentët nënkuptohet një specialist i një fushe të caktuar, i cili angazhohet në rolin e këshilltarit.

“Në këtë aktivitet, komuna në emër të konsulentëve është në proces të kontraktimit të personave me njohuri minimale sepse për këto pozita ka kërkuar shkollim të mesëm ose universitar bachelor dhe përvojë pune njëvjeçare, e në disa lote nuk është kërkuar fare përvoja e punës”, përfundon Demokraci Plus.

Në njoftim thuhet se me qëllimin e shpenzimit të përgjegjshëm të parasë publike dhe respektimit të ligjeve në fuqi, kjo procedurë duhet të anulohet. /Zëri