Haradinaj në Ditën e Lirisë së Mediave: Sunduesve u pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave
Foto: Laura Hasani

Haradinaj në Ditën e Lirisë së Mediave: Sunduesve u pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave

Aktuale May 03, 2024 - 10:47

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave ka thënë se sunduesve u pengon liria e shprehjes dhe ajo e mediave.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror që të ruhet dhe të avancohet ky segment i lirisë.

“Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”.

“Shqetësuese mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që ua bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, shkroi Haradinaj.

Mes të tjerash ai tha se qëndron krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë.

Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporterët pa Kufij e renditi Kosovën në vendin e 75-të në botë, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar, kur renditej në pozitën e 56-të. /Zëri