Kearns: Asociacioni s’mund të bëhet me presion të jashtëm
Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik ka miratuar të enjten një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Kërkoj që kjo Dhomë të lëvizë në njohjen e situatës akute të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, të dënojë sulmin e militantëve nacionalistë serbë në Banjska në Kosovë më 24 shtator 2023”, thuhet në mocionin e miratuar në Parlamentin britanik.
Po ashtu në mocionin e miratuar kërkohet të mbështet autoritetin i Gjykatës Kushtetuese në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të dënohet ndërhyrjen ruse në Ballkan.
“Parlamenti vëren me shqetësim retorikën politike irredentiste pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi dhe i kërkon qeverisë të rrisë angazhimin e saj me partnerët rajonalë dhe aleatët ndërkombëtarë për të përmirësuar peizazhin e sigurisë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në mocionin e miratuar në Londër.
“E kënaqur që Parlamenti sot njëzëri ra dakord me këtë mocion për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kearnd në rrjetin social X.
Kujtojmë se gjatë debatit të sotëm në Dhomën e Ulët, deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se tani është momenti ku përcaktohet nëse ëndrra për integrimin e Ballkani paqësor do të realizohet ose nëse “do të kthehemi në tmerrin e viteve 1990”.
Deputetja Kearns ka folur për sulmin terrorist në Banjskë, ka përmendur vrasjen e policit Afrim Bunjaku e sasinë e armëve të sekuestruara.
“Këto armë nuk janë tipike për një grup militantësh dhe kjo ngreh pyetjen: Kush po i mbështeste sulmuesit e Banjskës dhe pse?. Përgjigja mund të jetë në videot të cilat u publikuan më pas. Treguan militantët që trajnoheshin në një bazë ushtarake serbe katër ditë para sulmit. Shumica e armëve kishin numra serikë të njëjtë me ato që posedon ushtria serbe. Kam kërkuar disa herë këtu që qeveria të lëshojë një vlerësim nëse shteti serb ofroi mbështetje strategjike dhe materiale për sulmin në Banjskë”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë çështje diskutimit.
“Disa ndërkombëtarë kanë thënë se Kosova duhet të pranohet në KiE vetëm nëse krijon Asociacionin. Britania e Madhe duhet ta kundërshtojë këtë. Derisa unë nuk dua një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor, një Asociacion do të themelohet si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Por nuk duhet të nxitohet dhe nuk mund të vihet nën presion të jashtëm”, është shprehur ajo.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria Britanike që të punojë me partnerët e NATO-s për të siguruar që KFOR-it t’i jepet mbështetja dhe detyrat që i nevojitet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në mbarë Kosovën.
“Ne duhet të krijojmë aleancën e re të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe anëtarët e tjerë të NATO me Kosovën’, ka thënë deputetja Kearns./RTK