Petkoviq: Serbia mbështet përpjekjet e Lajçakut në procesin e formimit të Asociacionit
Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Beogradi vlerëson dhe mbështet shumë përpjekjet që emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka investuar në fillimin e procesit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto komente ai i bëri pas një takimi që pati së bashku me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe përfaqësuesin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.
Siç bën të ditur zyra e Petkoviqit, ai dhe dhe Gjuriqi në takim, siç u tha, përsëritën qëndrimin e Beogradit se drafti i Statutit të Asociacionit i hartuar nga BE-ja mund të jetë një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve dhe marrëveshjeve për përfundimin e kësaj situate.
Lidhur me çështjen e dinarit, Petkoviqi theksoi se bisedimet në Bruksel kanë qenë të vështira dhe se sipas tij delegacioni i Beogradit ka paraqitur propozimet dhe komentet e tij për këtë çështje. /Klankosova