Gjenerali Ulutash pas vizitës në selinë e NATO-s: Vetëm zgjidhje politike mes Kosovës e Serbisë
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash, ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Bruksel, gjegjësisht në selinë e NATO-s.
Siç ka njoftuar vetë ai, takime ka zhvilluar me zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë të NATO-s, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, dhe me ambasadorë nga të gjitha vendet që kontribuojnë me trupa në misionin tonë të KFOR-it.
Ai thotë t’i kenë informuar ata me trendet më të fundit të sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mbi prioritetet e KFOR-it në javët dhe muajt në vijim.
Nga kjo vizitë, ai thotë të ketë marrë tri mesazhe kryesore “të cilat i dëgjova me zë të lartë dhe të qartë në të gjitha takimet që i mbajta”.
Mesazhi i parë, sipas Ulutash, ishte që aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
I dyti, sipas tij, ishte që KFOR-i është misioni më i gjatë dhe tani më i madh i NATO-s dhe përfaqëson një demonstrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit të palëkundur të NATO-s për stabilitetin rajonal.
“Ne do të sigurohemi që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit”, deklaroi gjenerali Ulutash.
Ndërsa, mesazhi i tretë që ai thotë të ketë marrë nga takimet e zhvilluara në selinë e NATO-s ka qenë rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Komandanti i KFOR-it thotë se zgjidhja e vetme mes dy vendeve është ajo politike.
“Së treti, mund të ketë vetëm zgjidhje politike për situatën aktuale. Një që njeh dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë aspekt, NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dhe KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij mbështetës”.
“Një zgjidhje e qëndrueshme politike varet – në fund të fundit – nga një angazhim i të gjitha palëve për t’u përmbajtur nga retorika dhe veprimet destabilizuese, dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, për një të ardhme më të mirë për gjeneratat që do të vijnë, dhe për stabilitetin rajonal”, deklaroi në një video-mesazh, komandanti i KFOR-it, gjenerali Ozkan Ulutash.