Sarrazin: Veprimet e Serbisë s’janë në përputhje me Aneksin e Ohrit,  Kosova të bëjë gjithçka për t’i bindur shtetet anëtare në KiE
Foto: Laura Hasani

Sarrazin: Veprimet e Serbisë s’janë në përputhje me Aneksin e Ohrit, Kosova të bëjë gjithçka për t’i bindur shtetet anëtare në KiE

Aktuale April 24, 2024 - 17:32

Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Gjermania i ka ndjekur nga afër zhvillimet në Asamblenë Parlamentare ku u rekomandua pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin tha se Gjermania e merr parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet e saj dhe se qëndrojnë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën.

“Natyrisht, ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës. Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që do të thotë edhe anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”, tha Sarrazin për EWB, transmeton klankosova.

Më tej, Sarrazin tha se Kosova ka marrë obligime nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe në vitin 2013, por edhe nga Aneksi i Ohrit, që përfshin zbatimin e themelimit të Asociacionit.

“Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Aneksin e Ohrit, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha tutje ai.

Sarrazin i bëri thirrje Serbisë që të mos e pengojë Kosovën që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, ndërsa tha se “nuk e shoh se si veprimet aktuale të Serbisë janë në përputhje me tekstin apo frymën e Aneksit të Ohrit”.