Kurti pas takimit me Glavchevin: Konfirmuam vullnetin për bashkëpunim

Kurti pas takimit me Glavchevin: Konfirmuam vullnetin për bashkëpunim

Aktuale April 22, 2024 - 15:12

Kryeministri Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitën e tij të parë zyrtare në Bullgari, është shprehur i nderuar me pritjen në Sofje nga kryeministri në detyrë Dimitar Glavchev dhe falënderues për mbështetjen e hershme e të vazhdueshme të Bullgarisë.

Përmes një postimi në Instagram, Kurti ka thënë se Bullgaria ka luajtur rol të rëndësishëm për Kosovën gjatë luftës, por edhe tani vazhdon të japë kontributin e saj të çmuar në sigurinë e vendit.

“Bullgaria njohu shtetin tonë një muaj pas shpalljes së pavarësisë. Sivjet shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm për ne në vitin 1999, duke hapur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, që i dha fund gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë. Edhe sot vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë me praninë e trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, të cilat i ka shtuar së fundmi në numër”, shkroi Kurti.

Ai ka thënë se miqësia dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve duhet të kthehet në marrëdhënie edhe më të mira, bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe shkëmbime tregtare edhe më të mëdha.

“Në takimin e sotëm konfirmuam vullnetin e dyanshëm”, shtoi Kurti.