Drejtori i ASK-së: Deri dje të regjistruar mbi 530 mijë persona dhe mbi 36% të objekteve në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Drejtori i ASK-së: Deri dje të regjistruar mbi 530 mijë persona dhe mbi 36% të objekteve në Kosovë

Aktuale April 22, 2024 - 10:40

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë ka thënë se “procesi ka shkuar sipas planit dhe parashikimit që kemi bërë në fillim”.

Kastrati tha se deri dje janë regjistruar mbi 530 mijë persona dhe mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë.

“Deri dje janë regjistruar mbi 530 mijë veta në Kosovë dhe janë regjistruar mbi 36% e objekteve në Kosovë”, tha ai.

Ai shtoi se nuk kanë sfida madhore në terren dhe se stafi është stabilizuar.

“Nuk kemi sfida madhore në terren edhe stafi është stabilizuar këto ditë me zonat dhe kanë filluar intervistat masive, ashtu siç i kemi planifikuar nga 7, 8, 9 brenda ditës. Regjistruesit kanë arritur në kuotën që kemi parashikuar, deri në 7 intervista. Nëse vazhdon një dinamikë e tillë do ta përfundojmë regjistrimin ashtu siç është planifikuar”, tha Kastrati.

Që nga fillimi i regjistrimit të popullsisë, ASK-ja çdo të hënë mban konferencë për media lidhur me ecurinë e procesit.