Bojkoti i votimit, Qeveria: Pa marrë parasysh rezultatin, përmbushëm obligimin tonë ndaj qytetarëve të veriut
Foto: Laura Hasani

Bojkoti i votimit, Qeveria: Pa marrë parasysh rezultatin, përmbushëm obligimin tonë ndaj qytetarëve të veriut

Aktuale April 22, 2024 - 10:11

Qeveria e Kosovës ka dhënë një deklaratë lidhur me procesin e mbajtjes së referendumit në katër komunat e veriut.

Sipas Qeverisë, ky proces ka kaluar pa incidente dhe ka qenë kërkesë e vazhdueshme nga përfaqësuesit e këtyre komunave dhe nga Lista Serbe, raporton Zeri.info.

Por, ishte vetë Lista Serbe ajo që bëri thirrje që ky proces të bojkotohet dhe Qeveria për këtë gjë shpreh keqardhje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, thuhet në deklaratë.

Ndër të tjera, Qeveria thotë se me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, është përmbushur obligimi i saj ndaj qytetarëve të saj.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet ndër të tjera. /Zëri