DnV: Qytetarët bojkotuan procesin e sotëm të votimit pavarësisht se këtë e kishin kërkuar përmes peticionit
Foto: Laura Hasani

DnV: Qytetarët bojkotuan procesin e sotëm të votimit pavarësisht se këtë e kishin kërkuar përmes peticionit

Aktuale April 21, 2024 - 22:54

Demokracia në Veprim ka deklaruar s procesi i votimit të sotëm është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të votuar.

Përmes një komunikate për medie, DnV ka thënë se ka vëzhguar procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit në të gjitha qendrat e votimit që nga hapja e tyre në orën 07:00 të mëngjesit. 

“Sipas vëzhgueseve, të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë, pra në orën 19:00 ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast ku qytetarët kanë qenë duke pritur në rradhë për të votuar. Procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës së DnV-së, kjo është mundësi e humbur që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre për ti hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarët e rinj.

“DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit”, thuhet në komunikatë.