25 vjet nga masakra ndaj familjes Mirena

25 vjet nga masakra ndaj familjes Mirena

Aktuale April 21, 2024 - 22:47

Më 21 prill të vitit 1999, forcat serbe nxorën nga shtëpitë e tyre 16 burra dhe djem të familjes Mirena nga fshati Nakaradë e Fushë Kosovës, për t’i vrarë më pas në mënyrë mizore. Kushtrim Mirena, atë kohë vetëm 10 vjeç, në 25 vjetorin e masakrës në të cilën humbi babanë dhe 15 anëtarë të tjerë rrëfen për përjetimet e asaj dite.

Ishte vetëm 10 vjeç kur e pa për herë të fundit babanë, Nezirin.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet që nga ajo ditë, Kushtrimi e ka ende të freskët atë kujtim të hidhur.

Mbrëmjen e 21 prillit të vitit 1999, forcat serbe kishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre 16 anëtarë të familjes Mirena nga fshati Nakaradë e Fushë Kosovës, për t’i vrarë më pas, siç thotë Kushtrimi, në mënyrë mizore.

E dhimbja për këtë familje ishte edhe më e madhe për faktin se për shtatë vjet ata pritën në ankth për kufomat e më të dashurve të tyre, të cilat u gjetën në Batajnicë të Serbisë në vitin 2006.

E në 25 vjetorin e kësaj masakre Kushtrimi thotë se kërkesa drejtuar institucioneve të Kosovës është ende e njëjtë.

Të paditin Serbinë për gjenocidin e bërë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Ndërsa zotohet se ai dhe të tjerët nga familja Mirena janë të gatshëm të dëshmojnë për krimet e kryera në fshatin e tyre.

Gjatë ditës në varrezat e fshatit Nakaradë u bënë homazhe për 16 anëtarët e familjes Mirena të vrarë 25 vjet më parë nga forcat serbe.

Të pranishëm ishin edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, i cili me anë të një postimi në Facebook, tha se të vrarët e kësaj masakre ishin të gjithë të pafajshëm dhe të paarmatosur.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje sistemit të drejtësisë në Kosovë të veprojë me ngulm për të sjellë drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Hetimet për masakrën në Nakaradë I kishte filluar UNMIKU në vitin 2000, por deri më tani nuk është dënuar askush./teve1