Kërkohet të rritet ndëshkueshmëria e llogaridhënia brenda sistemit të drejtësisë

Kërkohet të rritet ndëshkueshmëria e llogaridhënia brenda sistemit të drejtësisë

Aktuale April 20, 2024 - 20:51

Rastet kur institucionet shtetërore kanë qenë përgjegjëse për neglizhim të rasteve të dhunës në familje, nuk kanë qenë të rralla.

Fatkeqësisht, po kjo mospërgjegjësi e trajtimit të rasteve me urgjencë dhe seriozitet, ka bërë që disa prej tyre të përfundojnë me fatalitet për gratë.

E tillë ishte vrasja e Diana Kastratit, Sebahate Morinës, Lirije Qerimajt, gra të vrara nga bashkëshortet e tyre, që të gjitha i paraqitën paraprakisht vrasësit për dhunë në familje.

Për dy rastet e fundit, Këshilli Pokurorial ndaj prokurorëve të cilat kishin neglizhuar hetimet, ndëshikimet ishin minimale, njëra ulje të pagës për 30% e tjera vërejtje publike me shkrim.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se masat e tilla janë qesharake dhe se duhet ndryshuar kjo qasje.

Sipas ish-Avokatit të Popullit duhet analizë për trajtimin që institucionet u bëjnë rasteve të dhunës ndaj grave.

Hilmi Jashari thotë se asnjë prej rekomandimeve ndër vite i Institucionit të Avokatit të Popullit, nuk u morr parasysh.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka treguar për televizionin se ka pasur vetëm 8 kërkesa për inicim të procedurës disiplinore, prej të cilave në 5 raste janë shqiptuar masa, pa shpjeguar detaje.

“Gjatë vitit 2023, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar tetë kërkesa për inicim të procedurës disiplinore dhe janë themeluar shtatë (7) panele hetimore, sepse është bërë bashkimi i dy lëndëve në një rast, ngaqë ka qenë i njëjtë subjekti i hetimit dhe janë paraqitur në një periudhë të njëjtë të dyja rastet. Me vendim të Këshillit Prokurorial janë shqiptuar pesë (5) masa disiplinore për gjashtë (6) raste disiplinore. Një rast nuk është gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore, por rasti është dërguar në performancë dhe një rast  i vitit 2023 është në shqyrtim e sipër në KPK”, ka njoftuar KPK.

Lirije Qerimaj, u vra pesë ditë pasi kishte raportuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje, e njëjtë kishte ndodhur edhe për rastin e Sebahate Morinës.

Shtetin përgjegjëse në këtë rast e bëri edhe Gjykata Kushtetuese, ashtu siç e kishin bërë edhe në rastin e vrasjes së Diana Kastratit, ku kishte konstatuar se shteti ua kishte shkel të drejtën për jetë./dukagjini