Siguria në Kosovë mes trazirave globale
Foto: Laura Hasani

Siguria në Kosovë mes trazirave globale

Aktuale April 20, 2024 - 13:40

Në një realitet të mbushur me sfida të forta dhe të shumëfishta të sigurisë, udhëheqja e Kosovës do të bënte mirë që t’i mirëmbante partneritetet dhe t’i forconte lidhjet me rëndësi strategjike, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, thotë eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.

“Siç u pa në rastin e Izraelit, partneritetet dhe koalicionet janë jetike për mbrojtjen e vendit”, thotë studiuesi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me bazë në Uashington.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Shtuni i referohet kështu përgjigjes që i dha Izraeli bashkë me aleatët e tij sulmit të Iranit me raketa dhe dronë, natën mes 13 dhe 14 prillit.

Shtuni thotë se ky konfrontimi “i paprecedentë” e bëri situatën në Lindje të Mesme edhe “më të paparashikueshme” dhe nuk e përjashton mundësinë që ajo, në një mënyrë ose tjetër, të ketë implikime edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Rajoni është duke kaluar një situatë të trazuar. Ka polarizim politik shoqëror. Ka pasur edhe sulme të drejtpërdrejta, që kanë përfshirë armatime të nivelit ushtarak”, thotë Shtuni, duke përmendur rastin e Banjskës.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Kosova fajësoi aparatin shtetëror të Serbisë për këtë sulm. Edhe SHBA-ja tha se po i heton lidhjet e shtetit serb me të.

Derisa Serbia u distancua, përgjegjësinë e mori ish-politikani serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili është ende i lirë dhe ka dyshime se gjendet në Serbi.

“Për sa kohë që autoritetet serbe - të cilat i kanë në territorin e tyre të gjithë eksponentët që morën pjesë në atë sulm - nuk veprojnë, jo vetëm për t’i arrestuar dorasit, por edhe për t’i vënë para përgjegjësisë planifikuesit dhe financuesit e sulmit, ekziston rreziku që personat e njëjtë t’i kryejnë aktet e njëjta”, thotë Shtuni.

Për më tepër, shton ai, “mund të ketë edhe individë, që nuk kanë qenë të përfshirë në sulmin e Banjskës, e që, nëse nuk ndodh ndëshkimi apo vënia para përgjegjësisë, mund ta marrin mesazhin se ‘është në rregull ta bësh të njëjtën gjë’”.

Shtuni thotë se “ka vend për shtim të vigjilencës nga bashkësia ndërkombëtare”, por edhe “për mirëmbajtje dhe forcim të partneritetit dhe aleancave të rëndësishme” të Kosovës, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej kohësh, përsërit se Serbia paraqet kërcënim për sigurinë e Kosovës. Një sondazh i publikuar këtë javë nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në SHBA, nxori në pah se për gjysmën e qytetarëve të Ballkanit, “rreziku më i madh është Serbia”.

Por, mes Kurtit dhe aleatëve ndërkombëtarë kishte disa mospajtime së voni - sidomos për çështjen e përdorimit të dinarit në Kosovë - të cilat çuan në disa paralajmërime se Kurti po vë në rrezik marrëdhëmiet me aleatët, edhe pse ai këmbënguli në të kundërtën.

Pas sulmit të Iranit në Izrael, Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës në takim, ku, siç tha, u diskutuan edhe implikimet e mundshme të zhvillimeve në Lindjen e Mesme në paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

Zyra e Kurtit tha se dronët që i përdori Irani kundër Izraelit, i posedon edhe Serbia, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë mohoi se ka dronë Shahed në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU