11-vjetori i marrëveshjes Kosovë - Serbi, Kurti: Qeveria ka më shumë probleme të trashëguara sesa sfida të kohës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se Qeveria që ai drejton ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës, e që sipas tij edhe përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses.
Kurti këto i ka thënë sot, kur u bënë 11 vjet nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Zeri.info.
Ai ka përmendur se kjo marrëveshje ka 15 nene, ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Sot u bënë 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Thaçi e Daçiq.
Marrëveshja i ka 15 nene, ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, për të cilën ka thënë se nuk mund të flitet pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike me Aneksin e Zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel, pa konstatuar që marrëveshja Thaçi - Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa - Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.
Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe, Mustafa dhe Vuçiq.
Kjo e fundit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për Asociacionin sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik.
Pas këtij vendimi të Gjykatës, ku Asociacioni me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj.
Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.
Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje, e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.
Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike, e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de fakto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Asociacionit.
Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.
Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për Asociacionin:
- Pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023);
- Pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike);
- Pa konstatuar që marrëveshja Thaçi - Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa - Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.
E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK-ja nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Malit të Zi) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!
Qeveria jonë ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. E përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses.