Nga janari deri në gjysmë të prillit 840 mijë udhëtarë kaluan përmes aeroportit “Adem Jashari”
840 mijë qytetarë kanë kaluar përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndërsa periudha e njëjtë e vitit të kaluar ka qenë rreth 650 mijë. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara.
E vendet që vizitohen më shumë këtë periudhë janë Zvicra, Gjermania, Austria e Turqia, ndërsa janë shtuar edhe destinacione të reja.
Gara thotë se këtë vit presin që numri i udhëtarëve të kalojë mbi katër milionë, 1 milion më shumë se vitin e kaluar.
“Nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit 2023 me periudhën e njëjtë të këtij viti, ne në këtë vit kemi një rritje në total prej 30 për qind. Vitin e kaluar kanë qenë diku rreth 650 mijë udhëtarë në këtë periudhë, ndërkaq tash kemi rreth 840 mijë ose më shumë. Viti 2023 i kemi përmbyllur mbi 3.4 milionë udhëtarë, ndërkaq në vitin 2024 presim një rritje ose presim të arrimë shifrën prej 4 milionë udhëtarësh në vit, shifër e cila nuk ka qenë më herët po ashtu edhe në vitin 2023 ka qenë hera e parë që kemi arritur 3 milionë udhëtarë. Sa u përket destinacioneve të cilat vizitohen më së shumti ose te të cilat kemi më së shumti fluturime, shteti zviceran është shteti i cili prin me numër të udhëtarëve, pastaj pasohet nga Gjermania, kemi më pas Vjenën e Turqinë dhe kështu më radhë”, u shpreh Gara, duke thënë se gjatë vikendeve rritet numri i udhëtarëve që kalojnë përmes aeroportit.
Gara thotë se për një javë kalojnë mbi afër 15 mijë udhëtarë.
“Varësisht nga ditët, normal që ndryshon edhe numri i udhëtarëve, duke pasur parasysh që ditëve të vikendit kemi një numër më të madh të udhëtarëve, mirëpo nëse matemi një mesatare në një javë ka diku rreth 13 deri në 15 mijë udhëtarë, të cilët fluturojnë për dhe nga Aeroporti i Prishtinës”, thotë Gara.
E që nga marrja e ANP-së me koncesion nga kompania turke “Limak”, janë investuar mbi 220 milionë euro. Gara thotë se kompania ka kontribut të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit.
“Me rritjen e numrit të udhëtarëve, rriten edhe të hyrat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës po ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës deri më tani kompania ka pasur një kontribut të drejtpërdrejtë në Qeverinë e Kosovës diku rreth 221 milionë që nga marrja me koncesion ANP-në. Po ashtu duke pasur parasysh edhe investimin që i është bërë Aeroportit të Prishtinës rreth 120 milionë, kështu që ky investim është bërë në vitin 2011, ndërkaq nga ai vit deri më tani kontributi ka qenë rreth 220 milionë euro”, u shpreh Gara për EO-në.
Në fund, Gara thotë se kanë shtuar edhe destinacione të reja, kryesisht në shtetet e Skandinavisë.